Si arrin miza të bëjë lëvizje akrobacie aq të vështira e të sakta në ajër? Si arrin të mbajë pozicionin e të ruajë drejtimin kur goditet nga një shkulm ere? Arsyeja pjesërisht lidhet me dy zgjatime të vockla që shërbejnë si frena, të vendosura poshtë secilit krah të saj.*
Shqyrtoni faktet: Krahu frenuesështë si një
shkop i vockël daulleje me një topth në fund. Gjatë fluturimit, këta krahë të vegjël lëkunden lart e poshtë me të njëjtën frekuencë që lëkunden edhe krahët, por në drejtim të kundërt. Shkencëtarët kanë zbuluar se krahët frenues shërbejnë si një xhiroskop gjenial, se e ndihmojnë mizën të mbajë ekuilibrin gjatë fluturimit.#
Me topthin në fund të tij, krahu frenues «rreh në një drejtim të caktuar, si lavjerrësi i orës»,—thotë Encyclopedia of Adaptations in the Natural World. Nëse miza kthehet rrëmbimthi gjatë fluturimit, qoftë me qëllim, qoftë nga një rrymë e fortë ere, ky krah frenues përdridhet. Kjo enciklopedi thotë se «një tufë e dendur me funde nervash që ndodhen në krahun frenues e dikton këtë përdredhje dhe ia përçon mesazhin trurit. Kështu miza merr masat e duhura për të mbajtur . . . drejtimin». Ja përse mizat janë aq të zhdërvjellëta dhe të vështira për t’u kapur.
Inxhinierët mendojnë se modeli i krahut frenues ka aplikime të panumërta, si për shembull në ndërtimin e robotëve, e insekteve mikromekanike fluturuese dhe e anijeve kozmike. «E kush do ta kishte menduar se një krijesë kaq e vogël dhe e bezdisshme sa miza, mund të na mësonte kaq shumë?!»—shkroi studiuesi në fushën e aeronautikës Rafal Zbikovski.
*Insektet dykrahëshe si, mushkonjat, harrjet dhe mizat e tjera kanë krahë frenues.
# Xhiroskopi zakonisht përbëhet nga një skelet që mban një disk, i cili rrotullohet me shpejtësi rreth boshtit. Disku e mban boshtin të palëvizur pavarësisht nga lëvizjet e jashtme, fusha magnetike ose graviteti. Prandaj xhiroskopi përdoret për të bërë busulla tejet të efektshme.