Ndonëse mund të na duket pak e pa besueshme por ndotja e mjedisit po dëmtonë planetin tonë.
Një raport i OKB-së thotë se bota po ndeshet me një ndryshim të pakthyeshëm në funksionin e mbështetjes së jetës nëse njerëzimi nuk ndryshon mënyrën e jetesës. Programi i OKB-së për Mjedisin, UNEP, ka publikuar një raport para Konferencës së OKB-së mbi zhvillimin e qëndrueshëm, që do të mbahet në Brazil në fund të qershorit.
Gjendja Globale e Mjedisit ose GEO5, thotë se bota po shkon në një rrugë të paqëndrueshme, pavarësisht nga nënshkrimi i më shumë se 500 marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas të dhënave shkencore sistemet e tokës po i afrohen maksmimumit në shumë fusha.
Amy Fraenkel është drejtuese e UNEP-it në Amerikën Veriore.
“Janë disa shembuj të caktuar si rritja e çlirimit të karbonit. Tashmë e kemi kaluar nivelin e sigurt për të cilin shkencëtarët thonë se nuk duhet kaluar në lidhje me çlirimin e gazit serrë. Biodiversiteti është në rënie, oqeanet tona dhe peshkimi nuk janë në gjendje të mirë”.
Raporti paralajmëron për një dëmtim të madh nëse prirjet e tanishme të prodhimit dhe konsumimit të burimeve natyrore nuk ndryshohen.
James Dobrowolski i Departamentit Amerikan të Bujqësisë, është një nga autorët e raportit. Ai thotë se rritja e popullsisë, urbanizimi, konsumimi në nivele të paqëndrueshme dhe përdorimi i karburantit të fosileve për prodhimin e energjisë shkaktojnë ndryshime të mjedisit.
“GEO5 njofton se 4,9 milion vdekje janë shkaktuar nga ekspozimi ndaj kimikateve në vitin 2004. Këto janë të dhëna të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Përdorimi substancave kimike në vendet në zhvillim në vitin 2020 do të arrijë në nivelin 30 për qind të përdorimit të përgjithshëm global”.
Zoti Dobrowlski përmendi gjithashtu mbeturinat elektronike dhe kompjuterët si një burim i ri i madh i ndotjes.
“Mbetjet elektronike që arrijnë në 20 deri 50 milion tonë në vit, janë bërë problemi më i madh dhe më i rëndësishëm që është përmendur në raportin GEO5”.
Raporti përmend edhe disa raste suksesi, veçanërisht ndalimin e përdorimit të plumbit në benzinë dhe substancave që ulin nivelin e ozonit.
“Dhënia e mesazhit se mjedisi është një problem me të cilin duhet të merremi tani, është sfidë politike në këtë kohë kur bota është në vështirësi financiare”.
Zonja Fraenkel thotë se është një nevojë urgjente për krijimin e një ekonomie më miqësore ndaj mjedisit, ky është mesazhi për konferencën Rio+20.