Një raport i publikuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar paraqiti të dhëna interesante, por që çuditërisht u harruan shpejt. Në studimin që doli për të dytin vit radhazi nga “World Ultra Wealth Report 2012–2013”, vendi ynë ka individë super të pasur, më shumë se Maqedonia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Organizata e kërkimeve dhe e konsultimeve për biznesin nëpërmjet 200 ekspertëve identifikoi miliarderët në të gjithë botën, ku në Evropë u analizuan 45 vende, mes tyre edhe Shqipëria, e cila renditej e 37-a për nga numri i pasanikëve.
Sipas organizatës në fjalë, Shqipëria ka 55 individë, që kanë secili një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh. Në total, pasuria e këtyre 55 individëve në Shqipëri arrin në 7 miliardë dollarë, ose gati sa gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Sipas raportit, pasuria e miliarderëve shqiptarë u rrit me 4.1 për qind, pavarësisht recensionit në shumë vende të botës. Debati mbi pasurinë dhe varfërinë në vend ka përplasur jo pak herë qeverinë dhe opozitën. Kjo e fundit pretendon se në Shqipëri pasuria është përqendruar në pak duar dhe se të varfrit po shtohen, ndërsa ministri i Financave thotë se mirëqenia e shqiptarëve është rritur me 13 për qind.
Burimi:Telegraf